Wednesday, February 24, 2021
Home > Këshilla Islame > Një natë sa njëmijë muaj vlerë..!

Një natë sa njëmijë muaj vlerë..!

Një natë sa njëmijë muaj vlerë..!!!

=========================

Të fitosh për një natë sevape sa njëmijë muaj, vërtet është madhështore dhe brilante, andaj kjo na shtynë që edhe për sekonda të kujdesemi se si ato t’i menaxhojmë dhe kthejmë në ibadete dhe lutje, sidomos këto dhjetë ditë të fundit të Ramazanit. Punëtori pret rrogën nga punëdhënësi atë që e ka stabile, po sikur (punëdhënësi) t’i thotë: “Puno më shumë dhjetë ditët e muajit të fundit të këtij muaji se unë do të japë njëmijë herë më shumë sesa rrogën stabile”, çfarë do të bënte puntori? Imagjinoni, a do të rrinte duarlidhur? Sigurisht që jo. Në këtë natë zbriti Kur’ani, fjala e Allahut xh.sh. e cila është platformë dhe zgjidhje për mbarë njerëzimin:

وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْكِتَابَ تِبْيَانًا لِكُلِّ شَيْءٍ وَهُدًى وَرَحْمَةً وَبُشْرَى لِلْمُسْلِمِينَ

“… Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” Nata e Kadrit apo Nata e Përcaktimit është natë e paqes, është natë e lutjeve, është natë e faljes, është natë që na sjellë një mesazh se ajo natë ka shumë ndodhi dhe është mrekulli nëse e arrijmë shpërblimin e kësaj nate. Në Kur’an është një sure me emrin “El-Kadr” që flet për vlerat e saj:

إِنَّا أَنْزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ . وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ . لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ . تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِمْ مِنْ كُلِّ أَمْرٍ . سَلَامٌ هِيَ حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ

“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjujt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”

Në këto ajete që nxisin për studimin e kësaj nate dhe rëndësinë e saj që ka ajo, në Kur’an shumë ajete fillojnë me kësi lloj pyetje, pastaj i jepet përgjigje. Kjo është për të na zhvilluar neve aftësinë që të mendojmë edhe më shumë rreth ajeteve kur’anore, por edhe një lloj sqarimi për disa që dyshojnë apo persona që pyesin shumë duke u dhënë atyre përgjigjen dhe duke u shuar kureshtjen. Në atë natë engjujt zbresin për secilën çështje, pra ajo natë është natë e paqes dhe harmonisë ku lutjet pranohen shumë deri në mëngjes, ajo natë është paqe dhe mirësi.

Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush e kalon me namaz Natën e Kadrit me besim tek premtimi i Allahut dhe shpresë tek Ai, i falen mëkatet që ka bërë më parë.” Ndërsa në një transmetim tjetër thotë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.” Aishja r.a., bashkëshortja e Muhamedit a.s., i ka thënë atij: “O i Dërguar i Allahut, nëse e përjetoj Natën e Kadrit, çfarë lutje të them? Ai tha: “Thuaj “All-llahum-me in-neke Afuv-vun Kerimun tuhib-bul-afve, fa’fu an-nii. (Zoti im! Ti je Falës, Bujar, e do faljen, ndaj më fal mua!”

‘El-Kadr’ (الْقَدْر) ka kuptimin (paracaktim) Kader, sepse në këtë natë paracaktohet se çfarë do të ndodhë për vitin e ardhshëm. Një prej vlerave të kësaj nate është se zbresin engjujt së bashku me Xhibrilin a.s. dhe zbret caktimi i Allahut xh.sh. për atë vit. Po ashtu është një natë e begatshme:

إِنَّا أَنْزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُبَارَكَةٍ إِنَّا كُنَّا مُنْذِرِينَ . فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ . أَمْرًا مِنْ عِنْدِنَا إِنَّا كُنَّا مُرْسِلِينَ . رَحْمَةً مِنْ رَبِّكَ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ . رَبِّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا إِنْ كُنْتُمْ مُوقِنِينَ . لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ يُحْيِي وَيُمِيتُ رَبُّكُمْ وَرَبُّ آَبَائِكُمُ الْأَوَّلِينَ

“Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’ju tërheqim vërejtjen e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. (E zbritëm) Nga mëshira e Zotit tënd, në të vërtetë Ai është Dëgjuesi dhe i Dijshmi. Zoti i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre, nëse jeni të bindur, nuk ka Zot tjetër, vetëm Ai është që jep jetë e vdekje, Zoti juaj dhe Zoti i prindërve tuaj të lashtë.”

I Madhërishmi në këtë natë e zbriti Kur’anin Fisnik nga Levhi-Mahfudhi (لَوْحِ مَحْفُوظْ) (Pllaka e ruajtur mirë tek Zoti xh.sh.) për në Bejtul-Iz-zeh (بَيْتُ الْعِزَّة), që është qielli i kësaj bote. Kur’ani më pas iu zbrit Muhamedit a.s. për rreth njëzet e tre vite me radhë sipas nevojave njerëzore që dilnin. Për këtë shkak Nata e Kadrit paraqet ngjarjen më të rëndësishme dhe më madhështore në historinë e njerëzimit dhe si e tillë e ndryshoi rrjedhën e saj, sepse shpallja e Kur’anit në këtë natë madhështore lidhi qiellin me tokën, njeriun me Krijuesin e vet dhe kështu hyri përsëri në analet e historisë, në të cilën ai nuk mbeti vetëm objekt pa përmbajtje dhe kuptim, përkundrazi i dha zgjidhje njerëzisë dhe u bë fjalë e gjallë dhe ligj i jetës, sipas të cilit zhvillohet jeta dhe sistemi jetësor.

Nata e Kadrit përveç rëndësisë së madhe si ngjarje historike, në të njëjtën kohë paraqet natën mjaft të dobishme për çdo kënd që dëshiron t’i kthehet Allahut xh.sh. dhe ta pastrojë shpirtin e tij nga mëkatet. Gjërat që duhet të bëjmë gjatë kësaj nate janë:

1. Kujdesi me gjuhën që ajo duhet të bëjë vetëm dhikër – përmendje të Allahut xh.sh..

2. Kohën mos e mbyt kot së koti.

3. Shtoje leximin e Kur’anit dhe librave me tematikë islamo-shkencore.

4. Mos përqesh, mos nënçmo, mos përgojo, mos abuzo, mos injoro.

5. Duaje xhaminë, nderoje xhematin, imamin e xhamisë dhe njerëzit jashtë xhamisë dhe kudo në lagje.

6. Jepja hakun xhamisë, jepja hakun udhës, jepja hakun adhurimeve me saktësi.

7. Bëhu bamirës sepse Allahu xh.sh. i do bamirësit që japin në udhën e drejtë, që ndimojnë nevojtarët, studentët në udhën e diturisë, ata që janë jetima, skamnorët, etj..

8. Vizito familjarët, fisin, kojshiun, shoqërinë dhe afroni ata me fjalë të mira dhe ndihmoni mes veti në të mira dhe bashkëpunime të hajrit.

9. Bërja lutje dhe shtimi i namazeve vullnetare.

10. Dhënia iftar të varfërve.

11. Buzëqesh sepse i Dërguari a.s. ka thënë: ”Buzëqeshja ndaj vëllait është lëmoshë.”

12. Mbaje veten me urtësi nga të folurit e tepërt.

13. Mësoju njerëzve atë çka di nga Islami.

14. Medito rreth sures “El-Kadr” dhe ajeteve kur’anore.

15. Mos e ngrit shumë zërin dhe mos ulërit në ligjërime.

16. Mbështetju Allahut xh.sh., dhe ruaju hutimeve ditore.

17. Ruaje shikimin, dëgjimin, ecjen, bëri të gjitha hallall.

18. Shijoje çdo moment duke lexuar, studiuar dhe mësuar për fenë islame.

19. Mos e humb kohën në televizor dhe mos flej tërë ditën dhe pas namazit të sabahut.

20. Agjërimi yt është i saktë, lute Allahun xh.sh. që kjo Natë e Kadrit të të zë duke bërë lutje.

Mysafiri të erdhi tek dera, ftoje dhe jepi ushqim, ky mysafir mund të jetë i fundit për ty andaj nderoje, sepse nuk ke garanci se do të jetosh përgjithmonë. Kjo natë është:

a. Natë e Kur’anit.

b. Natë për falje mëkatesh.

c. Natë që të përkujton Xhennetin.

ç. Natë e cila të rritë besimin.

d. Natë e bashkimit dhe unitetit vëllazëror.

dh. Natë e paqes, diturisë dhe bujarisë.

#Shkroi Imam Arber Berisha

#Shperndajeee

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: