Thursday, January 21, 2021
Home > Këshilla Islame > Edukimi me agjërim!

Edukimi me agjërim!

Edukimi me agjërim!!!

——————————-

Edukata është gjë madhore tek një musliman moshërritur dhe i aftë psiqikisht dhe fizikisht që ta adhurojë Allahun xh.sh. me namaz e agjërim. Imam Buhariu pikërisht në lidhje me këtë çështje shkroi një vepër që quhet El-Edebul-Mufred, vepër e cila shqyrton çështjet e etikës morale në Islam duke treguar se si sillej gjenerata e parë dhe vetë Pejgamberi a.s., i cili thoshte: ”Jam dërguar që t’i përmbushi vlerat e moralit.” Ai gjithashtu ka thënë: “Më afër meje në Ditën e Gjykimit do të jetë ai që ka moral më të mirë.”

Agjërimi e edukon njeriun si të sillet edhe me ushqimin e tij duke mos e tepruar dhe ngrënë tepër, ku dihet se Allahu xh.sh. nuk i do ata që e teprojnë:

وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلَا تُسْرِفُوا إِنَّهُ لَا يُحِبُّ الْمُسْرِفِينَ

“… hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” Duhet të edukohemi me maturi në ushqim dhe mendim për njerëzit që janë në borë, në të ftoftë apo në kulmin e nxehtësisë dhe nuk kanë shtëpi, janë nëpër male dhe në varfëri ekstreme, apo nëpër shkretëtira si endacakë. Agjërimi na bën të jemi të butë. Në lidhje më butësinë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush ka butësi – ai ka bukuri dhe kush nuk e ka butësinë, ai është i shëmtuar.” Agjërimi na edukon që të mendojmë për kojshiun se a ka ai syfyr apo iftar për të ngrënë? Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk është besimtar i mirë ai njeri i cili e ka mbushur barkun e tij përderisa fqinji i tij është i uritur” Aliu r.a. thoshte: “Lutuni shumë gjatë muajit të Ramazanit dhe pendohuni, kështu që për shkak të lutjeve tuaja u hiqen belatë, kurse me anë të pendimit tuaj u falen mëkatet.”

Agjërimi na bënë më edukativ, na zbutë epshet tona dhe egon, na bënë të ndjehemi më njerëzor, na afron më shumë kah Kur’ani, na afron kah takimet, vizitat dhe iftaret e shumta, na e shton durimin sepse pa durim nuk ka agjërim dhe nuk ka besim. Allahu xh.sh. na mëson përmes Kur’anit Famëlartë se qëllimi i agjërimit është devotshmëria, pa devotshmëri nuk ka edukatë, nuk ka bamirësi, dashuri, solidaritet, edukim dhe sinqeritet. Ky muaj i Ramazanit na edukon me disa gjëra si vijojnë:

1. Agjërimi na edukon me lexim të Kur’anit.

2. Lexim të vetvetes dhe zbutjen e egos.

3. Shtim të namazeve të teravive, natës dhe vullnetare.

4. Shtim të dhikrit dhe harmonisë vëllazërore.

5. Kalitja fizike dhe metafizike ka vlerë shumë dhe është edukatë e brendësisë dhe anës së jashtme.

6. Na edukon neve me oraret fikse të të ushqyerit sikurse syfyri dhe iftari.

7. Uria nuk duhet të jetë uri por urtësi.

8. Këtë muaj na shtohet durimi dhe edukimi.

9. Agjërimi na pastron dhe na futë të mendojmë, gabimet t’i evitojme, edukatën ta praktikojmë.

10. Historiku i agjërimit dhe ndodhitë në këtë muaj na edukojnë me mesazhet e agjërimit që ai ka në vete.

Transmetohet se Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Stomaku është shtrat i organizmit nga ushqehen venat, dhe nëse stomaku është i shëndoshë, edhe venat do të jenë të shëndosha e nëse sëmuren, edhe venat do të sëmuren.” Dhe ka thënë se: “Biri i Ademit kurrë nuk do të mbush një enë më të shëmtuar se stomakun e vet, vërtetë birit të Ademit i mjaftojnë disa kafshata që ta mbajnë në jetë, e nëse vërtetë dëshiron, atëherë 1/3 e stomakut le të jetë ushqim, 1/3 ujë ndërsa 1/3 le të mbetet boshe, që të mund të marrë frymë.”

Njeriu duhet që një të tretën e stomakut ta lë për ushqim, një të tretën për ujë ndërsa një të tretën e fundit ta lë të zbrazët, që të mund të marrë frymë. Qëllimi i të ushqyerit është që njeriu të mbahet në jetë, ta kompensojë atë që e humbë organizmi për ta ruajtur temperaturën normale trupore dhe të zhvillohet normalisht. Shikoni se si Pejgamberi a.s. në hadith nxitë që ushqimi të merret në sasi të vogla, mjaftueshëm sa për t`u mbajtur në jetë, ashtu që të mos jetë as i uritur as i dobët. Njeriu duhet të konsumojë ushqim përmes së cilit do ta ndërtojë organizmin e tij.

Muhamedi a.s. ka thënë: “Ne jemi popull që nuk hamë derisa nuk na merr uria, e kur hamë, nuk ngopemi.” Agjërimi e edukon muslimanin në tërë muajin e Ramazanit duke ia ndritur fytyrën besimtarit dhe duke e amortizuar atë për tërë vitin, që të jetë i gatshëm të ballafaqohet me sfida të përditshme në jetën e tij. Pejgamberi a.s. ka pasur virtyte të larta dhe kur agjëronte bënte iftar me hurma ose ujë. Allahu xh.sh. tregon se atë e kishte lartësuar me edukatë dhe moral:

وَإِنَّكَ لَعَلى خُلُقٍ عَظِيمٍ

”Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit.”

Në këto ditë të nxehta agjëruesi turpërohet kur sheh njerëz që hanë në ambiente publike edhe pse shumica e popullatës janë muslimanë në përqindje. Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Turpi nuk sjellë asgjë tjetër vetëm se të mira.” Bushejr b. Ka’bi ka thënë: ”Nëpër librat e urtësisë shkruhet se turpi sjellë denjësi, turpi sjellë qetësi.” Imran b. Husejni r.a. ka thënë: “Unë ju transmetoj nga Pejgamberi a.s. kurse ju transmetoni nga librat tuaja.” Nga edukata dhe agjërimi mësojmë se:

1. Janë lidhje që të dërgojnë tek veprat e mira.

2. Pritshmëria është dinjitet dhe vigjilencë.

3. Duhet të mendojmë për të tjerët dhe të solidarizohemi me ta.

4. Duhet të japim ndihmë reciproke.

5. Duhet të largohemi nga të ligat në përgjithësi.

6. Janë dashuri dhe gëzim, na edukojnë të qëndrojmë për iftar dhe syfyr.

7. Do ta marrim shpërblimin me lejen e Allahut xh.sh. duke agjëruar me edukatëdhe maturi.

#Imam Arber Berisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: