Friday, March 5, 2021
Home > Uncategorized > Përballja me të papriturat

Përballja me të papriturat

Shumë ajete të librit të Allahut të Lartësuar i kalojmë duke i lexuar, dëgjuar dhe studiuar. Ne po lexojmë dhe po i kalojmë ajetet, por disa prej selefit (brezit të parë), kur i lexonin fjalët e Allahut, ndikoheshin dhe për disa ditë nuk dilnin nga shtëpia. Me të vërtetë ata e përjetonin fjalën e Allahut. Vallë, a po përfitojmë nga fjalët e Gjithëmëshirshmit!?

Pa dyshim që ekziston një dallim i madh mes nesh dhe gjeneratës së sahabëve. Kur e lexonin Kuranin ata ndikoheshin nga fjalët e Allahut dhe kjo shihej qartë në ibadetin (adhurimin) e tyre, në sjelljet e tyre, në modestinë ndaj dynjasë dhe në afrimin më të madh me ahiretin. Duke medituar për fjalët e Allahut të Lartësuar, sahabët u bënë brezi më i artë, gjenerata e tyre është shëmbëlltyra e njerëzimit, shoqëria e krenarisë dhe e mburrjes, një komunitet i përulur vetëm ndaj Allahut e ndaj askujt tjetër pos Tij, shoqëri e dashurisë dhe e besës, e qartësisë dhe e besnikërisë.

Një ajet i Kuranit i zbardh kokat e të devotshmëve, gjatë leximit i trondit zemrat e evliave, gjatë shikimit në mus’haf u rrjedhin lotët e frikës respektuesve dhe gjatë dëgjimit u rrëqethen trupat këshilluesve. O robër të Allahut! Të kujtojmë së bashku fjalën e Allahut: “Sikur keqbërësit të kishin çdo gjë që gjendet në Tokë, edhe po kaq më tepër, të gjitha këto do t’i flijonin (për të shpëtuar) prej dënimit të ashpër në Ditën e Kiametit. Atëherë do të përballen me atë që nuk kanë llogaritur.”( Zumer, 47)

Ajeti i lartpërmendur na flet për diçka që është shumë serioze dhe vendimtare në Ditën e Gjykimit; na paraqitet një pasqyrë të gjendjes së atyre që nuk besuan dhe për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm, që i pret për shkak të mohimit, ata do të shpresonin të jepnin për kompensim gjithçka që gjendet në Tokë, madje edhe më tepër. Por ata do të përballen patjetër me dënimin e Allahut, me po atë dënim që nuk e kanë llogaritur e as nuk e kanë menduar aspak.

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: