Saturday, October 24, 2020
Home > Uncategorized > NJË E MIRË QË SHPËRBLEHET ME DHJETË

NJË E MIRË QË SHPËRBLEHET ME DHJETË

Transmetohet nga Ebu-l-Abbas Abdull-llah ibn Abbas ibn Abdul-Mutalib r.a. nga i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. se All-llahu i Lartësuar ka thënë: “Vërtet All-llahu i ka përcaktuar cilat janë veprat e mira e cilat të këqija, pastaj i ka sqaruar ato: Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë, All-llahu do t’ia shkruajë atë vepër si të kryer të plotë, kurse nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, All-llahu do t’ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqind herë më tepër. Por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, All-llahu do t’i shkruajë një vepër të mirë të plotë, kurse nëse dëshiron dhe kryen një vepër të keqe, atëherë All-llahu ia shënon vetëm një vepër të keqe” .
Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:
Abdullah ibnu Abbasi është mjaft i njohur. Ai ishte njeriu më i ditur nga të gjithë sahabët, dijetari i ymetit musliman dhe dijetari më i mirë i tefsirit (komentimit) të Kuranit. Ai është Abdullah ibnu Abbasi ibnu Abdul Mutalib ibnu Hashim El Kureshit El Hashimi, djali i xhaxhait të profetit (a.s). Ai është djali më i madh i Abasit. Ai ka lindur tre vjet përpara hixhretit, në kohën e bojkotit të Kurejshëve ndaj fisit Benu Hashim. Ka qëndruar gjithmonë pranë profetit (a.s), duke përfituar shumë prej tij. Kur vdiq profeti (a.s), ai ishte 13 –të vjeç. Ai ka transmetuar 1660 hadithe.
Profeti (a.s) i është lutur Allahut që t’ia mësojë urtësinë (sunetin e profetit), shpjegimin e Kuranit dhe t’ia bëjë sa më të kuptueshme fenë. Vetë Abdullahu transmeton: “Profeti (a.s) më shtrëngoi dhe u lut: O Zot mësoja atij Librin”. Po ashtu Abdullahi transmeton: “Profeti (a.s) hyri në banjë, ndërkohë që unë i solla ujë për të marrë abdes. Ai (a.s) pyeti: Kush e solli ujin? Unë – u përgjigja. Ai (a.s) u lut duke thënë: O Zot, bëja fenë sa më të kuptueshme”.
Për shkak të dijes së madhe, ai ishte mjaft i respektuar në mesin e sahabëve. Një prej tyre ishte Omer ibnul Hatabi, i cili e respektonte shumë dhe shpeshherë konsultohej me të. Abdullahu thotë: “Në mexhlisin e Omerit që merrnin pjesë të urtit e betejës së Bedrit hyja edhe unë. Disa prej tyre nuk u pëlqeu kjo gjë, duke iu ankuar Omerit me këto fjalë: Përse e fut atë këtu, ndërkohë që edhe ne kemi djem si puna e tij? Ju e dini kush është ai – u përgjigj Omeri. Një ditë Omeri më thirri dhe unë e kuptova që ai më thirri për të provuar zgjuarsinë dhe dijen time përpara tyre. Ai i pyeti ata: Si e kuptoni ajetin Kuranor “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.” Disa thanë: Që kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi jemi të urdhëruar që të falenderojmë Allahun dhe të kërkojmë falje. Ndërsa disa të tjerë heshtën. Po ti o Ibnu Abbas kështu mendon më pyeti? Jo – i thashë. Atëherë cili është mendimi yt? Allahu e njoftoi profetin (a.s) për vdekjen e tij. “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi”. Është shenjë se vdekja jote është shumë pranë, prandaj ti duhet që të “madhërosh, falenderosh dhe t’i kërkosh falje Zotit tënd, sepse me të vërtetë Ai është pranues i pendesës”. Edhe unë kështu mendoj – tha Omeri.
Ibnu Mes’udi ka thënë: “Sa komentues i mirë i Kuranit është Abdullah ibnu Abasi. Mesruku ka thënë: “Kur e shikoja Abdulla ibnu Abasin, thoja që ai është njeriu më i pashëm, kur ai fliste, thoja se ai ishte më oratori dhe njeriu më i ditur.
Në fund të jetës Ibnu Abasi u verbua nga sytë. Një ditë ai thurri disa vargje:
Nëse Allahu më ka marrë dritën e syve
Gjuha dhe zemra e kanë dritën e tyre
Zemra është e zgjuar dhe mendja nuk është e turbulluar
E në gjuhën time ka ashpërsi njëlloj si shpata e mprehtë
Cilësitë fizike: I gjatë, me lëkurë të bardhë, i bukur me fytyrë të ndritshme.
Mori pjesë bashkë me Abdullah ibnu ebi Serhin në betejat e çlirimit të vendeve të Afrikës veriore. Po ashtu ka marrë pjesë edhe në betejat e Xhemelit, Sifinit dhe Nehreuanit bashkë me Aliun.
Ali ibnu ebi Talib e emëroi si vali të Basras. Ai qëndroi atje si vali pak kohë përpara se të vritej Aliu.
Abdullah ibnu Abasi vdiq në moshën 68 – të vjeç në qytetin e Taifit në periudhën e sundimit të Ibnu Zubejrit. Xhenazen ia fali Muhamed ibnu Hanefije, i cili tha: “Sot ka vdekur dijetari i ymetit” më pas ai recitoi disa vargje.
Shpjegimi i hadithit:
Muslimani gjithmonë duhet të jetë vigjilent dhe i kujdesshëm ndaj atyre gjërave që e shmangin nga rruga e hajrit. Jeta e tij i ngjan pasqyrës, ndërsa sjellja e tij nuk del jashtë kontureve të besimit dhe as nuk ndjek shtigjet e shejtanit. Portat e shpresës janë gjithmonë të hapura për atë që shpreson, se bujaria dhe mëshira e Allahut për robërit e Tij i përfshin të gjithë ata.
Ky hadith profetik flet pikërisht për këtë kujdes hyjnor. Shenjat e këtij kujdesi hyjnor përftohen qysh në hyrjen e këtij hadithi, ku transmetuesi i hadithit transmeton nga profeti (a.s) se ai transmeton nga Allahu i Lartësuar.
Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se çdo punë të cilën e kryen njeriu, e mirë apo e keqe regjistrohet dhe shkruhet. Me regjistrimin e punëve dhe veprave të njeriut merren engjëjt, të cilët janë të ngarkuar me këtë përgjegjësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju keni mbikqyrës, që janë të nderuar e shkruajtës. Ata e dinë mjaft mirë se çfarë veproni”. Sure El Infitar: 10-12.
Veprat e njeriut, të mirat apo të këqiat, do të vihen në të dy krahët e kandarit hyjnor të pagabueshëm e të drejtë. Shpërblimi vjen si rrjedhojë e veprave të mira, ndërsa ndëshkimi si pasojë e veprave të këqia. Lind pyetja: cila është rruga që të shpëton nga mashtrimet e kësaj bote? Cila është rruga për në Xhenet dhe shpëtimit nga Zjarri i Xhehenemit.
Rrugën e ndriçuar me drejtësi, bujari, mëshirë, falje dhe shpresë na e sqaron profeti (a.s) në këtë hadith profetik.
Sa e madhe dhe e papërshkrueshme është bujaria dhe mëshira e Allahut të Lartësuar, që e shpërblen njeriun në bazë të nijetit dhe qëllimit të njeriut për të bërë një vepër të mirë, edhe nëse ai nuk e kryen atë punë, duke thënë: “Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë, All-llahu do t’ia shkruajë atë vepër si të kryer të plotë” Në këtë rast, moskryerja e veprës së mirë nuk është lënë qëllimisht, por për shkak të ndonjë pengese apo të një krijimi të një situate të papërshtatshme. Muslimani i cili vendos me gjithë zemër që të kryejë një vepër të mirë, dhe më pas situata del jashtë kontrollit dhe jashtë dëshirës së muslimanit, atëherë Allahu i Lartësuar me mëshirën e Tij të pakufishme e quan atë vepër të mirë. Vepra e mirë konsiderohet tërësisht e plotë, siç është përmendur edhe në hadith, në mënyrë të atillë që të mos imagjinojë dikush se në këtë rast, shpërblimi për të është i mangët.
Në raportin mes nijetit dhe punës së mirë njerëzit janë katër llojesh. Muslimani nuk del jashtë kontureve të këtyre llojeve, çfarëdo lloj pune apo vepre që të kryejë. Duke medituar tek këto katër lloje, vërejmë mjaft qartë bujarinë dhe mëshirën e Allahut për robërit e Tij në tre prej këtyre katër llojeve. Këto katër lloje janë:
1 – Vendosja me zemër për të kryer një vepër të mirë, mirëpo nga pamundësia ajo nuk kryhet.
2 – Vendosja me zemër për të kryer një vepër të mirë, dhe ajo kryhet.
3 – Vendosja me zemër për të kryer një vepër të keqe, dhe më pas ajo nuk kryhet nga frika ndaj Allahut.
4 – Vendosja me zemër për të kryer një vepër të keqe dhe ajo kryhet.
Në rastin e parë, nijeti ekziston por nuk përkthehet me punë nga pamundësia. Në këtë rast Allahu e jep shpërblimin në varësi të nijetit të pastër edhe nëse vepra e mirë nuk kryhet. Me vepër të mirë nënkuptojmë çfarëdo lloj vepre të mirë. Çdo vepër e mirë që kryhet dhe ajo është në shërbim të individit dhe shoqërisë duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, konsiderohet tërësisht vepër e mirë dhe e plotë.
Në rastin e dytë, bashkohen dy të mira; nijeti dhe puna. Në këtë rast shpërblimi shumfishohet nga dhjetë fish deri në shtatëqind fish, madje akoma më tepër.
Në rastin e tretë, shfaqet haptazi mëshira e Allahut për robërit e Tij, ngase Allahu i Lartësuar nuk i regjistron mendimet e këqia që i vijnë njeriut. Nëse njeriu nuk i vë në jetë mendimet e këqia, atëherë porta e shpëtimit është e hapur. Në këtë rast për mendimin e keq që nuk përkthehet me punë, muslimani shpërblehet me një të mirë të plotë.
Në rastin e katërt, Allahu e regjistron veprën e keqe, sepse njeriu mendimin e keq e përforcoi duke e vepruar atë. Bujaria dhe mëshira e Allahut duket në faktin se vepra e keqe nuk shumfishohet në ndëshkim, ndryshe nga vepra e mirë e cila shumfishohet nga 10 – 700 fish, madje akoma më tepër.
Rregulla dhe dispozita fetare:
Juristët muslimanë thonë, se mendimet që i vijnë njeriut janë pesë; thjesht mendim, thellim i mendimit duke anuar së tepërmi nga ai, shqetësim, vendosmëri, vendosmëri me vënie në zbatim. Për tre të parat, njeriu nuk është përgjegjës, nëse shqetësimi nuk kthehet në vendosmëri. Ndërsa për dy të tjerat njeriu shpërblehet ose ndëshkohet.
Këtu lind një pyetje: Nëse njeriu rend plotësisht pas mëkatit, por ai nuk e kryen sepse i del një pengesë, a është përgjegjës apo jo?
Një grup juristësh janë të mendimit se ai është përgjegjës, sepse ai rend me gjithë shpirt pas mëkatit megjithëse nuk e kryen.
Ndërsa një grup tjetër juristësh janë të mendimit, se ai nuk është përgjegjës dhe nuk ndëshkohet. Nëse mendon apo thotë se do të bëj një mëkat por nuk e vepron, atëherë nuk ka përse të jetë përgjegjës apo të ndëshkohet.
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Domethënia e regjistrimit të veprave të mira dhe të këqija.
2 – Përshkrimi i hollësishëm i çështjes
3 – Bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij
4 – Shpërblimi i punës në varësi të sinqeritetit
5 – Vendosja me zemër për të bërë një vepër të keqe, por pa e kryer atë.
1 – Domethënia e regjistrimit të veprave të mira dhe të këqija:
Regjistrimi i veprave të mira dhe të këqia bëhet në Lehui Mahfudh. Allahu i Lartësuar ka regjistruar gjithçka në Lehui Mahfudh. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne çdo gjë e kemi krijuar me përcaktim.” (Sure El Kamer: 49). Ndërsa në një ajet tjetër lexojmë: “Çdo gjë e vogël apo e madhe është e regjistruar.”
Pra, regjistrimi i veprave të mira dhe të këqia që bën njeriu është bërë në Lehui Mahfudh. Ky regjistrim është bërë në sajë të drejtësisë dhe bujarisë hyjnore.
Këtu kemi të bëjmë me dy regjistrime:
Regjistrimi i Parë: Regjistrimi përpara se ato të ndodhin. Këtë regjistrim nuk e di askush përveç Allahut të Lartësuar. Askush prej nesh nuk e di se çfarë është shkruajtur në Lehui Mahfudh, derisa ato të ndodhin.
Regjistrimi i Dytë : Kur njeriu e kryen veprën, ajo regjistrohet në sajë të Urtësisë dhe drejtësisë hyjnore. Profeti (a.s) e ka sqaruar shumë mirë në këtë hadith mënyrën se si regjistrohen veprat. Profeti (a.s) ka thënë se kur njeriu vendos të bëjë një të mirë por nuk e kryen atë, atëherë atij i quhet një e mirë e plotë, si përshembull një njeri vendos të marrë abdes për të lexuar Kuran, por më pas nuk e kryen. Në këtë rast atij i shkruhet një e mirë e plotë. Ose një njeri dëshiron të japë sadeka një shumë të caktuar parash, por më pas nuk e jep atë. Edhe në këtë rast ai merr si shpërblim një të mirë të plotë. Shembuj të tillë ka plot. Ndoshta dikush me të drejtë mund të pyesë: Si i shkruhet një e mirë e plotë, ndërkohë që ai nuk e ka kryer atë? Përgjigja e kësaj pyetje është shumë e thjeshtë: Kjo është mirësia dhe bujaria e pakufishme e Allahut të Lartësuar.
Ndërsa kur njeriu vendos të bëjë një të keqe, por nuk e kryen atë, i shkruhet një e mirë e plotë, si përshembull: një njeri dëshiron të vjedhë, por pastaj kujtohet dhe ka frikë Allahun dhe si rrjedhojë nuk vjedh, atëherë atij i shkruhet një e mirë e plotë.
Kur njeriu e vendos të bëjë një të keqe dhe më pas e kryen atë, ndëshkohet për atë vepër të keqe vetëm një herë të vetme.
2 – Përshkrimi i hollësishëm i çështjes:
Në fillim të hadithit, profeti (a.s) flet në mënyrë të përgjithshme, duke thënë se: “Vërtet All-llahu i ka përcaktuar cilat janë veprat e mira e cilat të këqija”. Më pas flet hollësisht për shpërblimin e punëve të mira dhe ndëshkimin e punëve të këqia. Nuk ka dyshim se përgjithësimi dhe më pas përshkrimi me hollësi tërheq vëmendjen dhe ai që e dëgjon e ka më të lehtë që të arrijë të kuptojë dhe të perceptojë më mirë atë që i thuhet.
3 – Bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij:
Në këtë hadith bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij shfaqet dukshëm në fjalët e profetit (a.s): “Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë, All-llahu do t’ia shkruajë atë vepër si të kryer të plotë, kurse nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, All-llahu do t’ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqind herë më tepër. Por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, All-llahu do t’i shkr­uajë një vepër të mirë të plotë, kurse nëse dëshiron dhe kryen një vepër të keqe, atëherë All-llahu ia shënon vetëm një vepër të keqe.”
Imam En Neveviu thotë: “Hadithi flet për bujarinë e Allahut ndaj këtij umeti duke ia shtuar mirësitë dhe duke ia lehtësuar shumë prej vështirsive ndryshe nga popujt e mëparshëm. Po ashtu hadithi flet për sahabët të cilët ishin të gatshëm për t’iu bindur rregullave të sheriatit”.
Kurani Famëlartë ka folur për shumfishimin e veprave të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën një punë të mirë ai shpërblehet dhjetëfish dhe kush bën një vepër të keqe ndëshkohet vetëm me një të keqe. Kështu pra, atyre nuk u bëhet padrejtësi”. (Sure El En’am: 160). Ndërsa në një ajet tjetër Allahu ka sqaruar, se shumëfishimi i veprës së mirë është për atë të cilin do. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu veprën e mirë ia shumfishon kujt të dojë”. Sure El Bekare: 261.
Ibnu Batal ka thënë: “Hadithi flet për bujarinë e Allahut ndaj robërve të Tij, sepse nëse nuk do të ishte bujaria e Allahut, atëherë askush nuk do të hynte në Xhenet, pasi njerëzit bëjnë më shumë vepra të këqia sesa të mira. Po ashtu hadithi flet për shpërblimin që merr personi, i cili i braktis epshet dhe mëkatet për hir të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu hadithi flet se ëngjëjt nuk regjistrojnë veprimet që konsiderohen mubah si gjumi..etj. Ata regjistrojnë vetëm veprat e mira dhe të këqia. Po ashtu hadithi flet për drejtësinë hyjnore në vlerësimin e të keqes dhe bujarinë hyjnore në shumfishin e veprës së mirë”.
4 – Shpërblimi i punës në varësi të sinqeritetit:
Kjo gjë dallohet shumë qartë tek fjala e profetit (a.s): “kurse nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, All-llahu do t’ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqind herë më tepër.”
Thënia e profetit (a.s): dhjetë deri në shtatëqind nënkupton se sa më i pastër të jetë nijeti, aq më i madh është shpërblimi.
Imam Ibnu Rexhepi thotë: “Shumëfishimi i veprave të mira me më tepër se dhjetë herë është në varësi se sa musliman i mirë është njeriu, në varësi të pastërtisë së nijetit dhe në varësi të vlerës së punës së mirë”.
Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin ka thënë: “Ky dallim në shumëfishimin e veprave të mira është në varësi të nijetit dhe ndjekjes së traditës profetike. Sa më të pastër të jetë nijeti në kryerjen e një adhurimi, aq më i madh është shpërblimi. Sa më ndjekës i traditës profetike që të jetë njeriu në adhurimin që kryen, aq më i madh është shpërblimi. Ky hadith flet qartë, se nijeti është i konsiderueshën dhe se ai e shpie njeriun për nga e mira”.
5 – Vendosja me zemër për të bërë një vepër të keqe, por pa e kryer atë:
Në këtë hadith lexojmë: “Por nëse dëshiron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, Allahu do t’i shkruajë një vepër të mirë të plotë”. Që do të thotë se nëse dikush ka mundësi që ta kryejë në mëkat, por e lë atë vetëm nga frika që ka ndaj Allahut, atëherë nuk ka dyshim se kjo i shndërrohet në një vepër të mirë të plotë, sepse ai e braktisi mëkatin.
Nëse ai e braktis mëkatin nga frika që ka nga njerëzit, apo syfaqësia, në këtë rast ndëshkohet sepse të kesh frikë nga njerëzit përpara frikës nga Allahu është e ndaluar. Po kështu ndodh edhe përsa i përket syfaqësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: